Në kuadër të Programit Junior Achievemen në Shqipëri, u organizua ceremonia përmbyllëse e inisiativës “Drejtues për një ditë”. Ky program zbatohet në shkollat e mesme (të përgjithshme dhe profesionale), falë mbështetjes së Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Edicioni i pestë i “Drejtues për një ditë” përfshiu 46 maturantë, në një përvojë unike duke i shoqëruar në një ditë të zakonshme pune në kompaninë ku ishin përzgjedhur. EasyPay ishte për të 3-tin vit rradhazi një ndër institucionet pritëse të cilat u angazhuan në këtë përvojë. Përgjatë gjithë ditës, nxënësit shoqëruan drejtuesit ekzekutivë të këtyre institucioneve dhe u njohën me rolin, funksionet dhe përgjegjësitë që mbart një drejtues çdo ditë në funksionin e tij. Duke ndarë përvojën e tyre me nxënësit, drejtuesit e këtyre institucioneve ndihmojnë në formimin dhe kultivimin e një brezi të ri drejtuesish dhe shërbejnë si burim frymëzimi për të rinjtë.