Java Globale e Parasë është një iniciativë botërore që ka për qëllim edukimin financiar të të rinjve dhe promovimin e zakoneve të shëndetshme financiare. Kjo nismë filloi në vitin 2012 nga organizata Child & Youth Finance International (CYFI), me synimin për të nxitur edukimin financiar në shkolla dhe komunitete të ndryshme rreth globit. Gjatë kësaj jave, institucione arsimore, banka, organizata financiare dhe shoqata të ndryshme zhvillojnë aktivitete si seminare, trajnime, konkurse dhe iniciativa që ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë më mirë menaxhimin e financave.
Në Shqipëri, Java Globale e Parasë ka filluar të organizohet prej disa vitesh nga institucione financiare, shkolla dhe organizata që promovojnë edukimin financiar. Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e kësaj nisme duke organizuar aktivitete të shumta për nxënësit dhe studentët, me qëllim rritjen e vetëdijes së tyre mbi menaxhimin e financave personale. Target audienca kryesore janë fëmijët, të rinjtë dhe studentët, duke synuar që edukimi financiar të fillojë në moshë të hershme për të krijuar qytetarë të përgjegjshëm financiarisht.
EasyPay, si një institucion financiar jo-bankë, ka vënë në qendër të misionit të saj edukimin financiar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin e një kulture financiare të shëndetshme në Shqipëri. Që nga fillimi i veprimtarisë së saj, EasyPay ka organizuar aktivitete të ndryshme që synojnë të informojnë dhe të aftësojnë të rinjtë në fushën e financave dhe teknologjisë financiare. Përmes seminareve dhe trajnimeve, kompania ka ndihmuar të rinjtë të kuptojnë më mirë teknologjitë e reja financiare dhe sesi ato mund të përfitohen për të menaxhuar financat personale më me efikasitet.
Gjatë Javës Globale të Parasë 2025, EasyPay i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edukimit të rinisë mbi risitë në tregun financiar shqiptar. Java e tretë e marsit është një moment i rëndësishëm për edukimin financiar global, dhe këtë vit, ne në EasyPay, në bashkëpunim me One Albania, organizuam një event me temën: “FinTech dhe Telco: E ardhmja e parasë elektronike”.
Jonida Këllezi – Çako Këllezi (Drejtor Marketingu, EasyPay) dhe Eralda Qereshniku (IoT & Partnering Team Leader, One Albania) ndanë ekspertizën e tyre mbi ndikimin e teknologjisë në shërbimet financiare dhe sfidat për rritjen e përdorimit e pagesave dixhitale në Shqipëri.
Aktivitete të kësaj natyre jo vetëm që i ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë më mirë botën e financave, por gjithashtu i inkurajojnë ata të eksplorojnë mundësitë e sipërmarjes dhe investimeve, duke u bërë pjesë e një ekonomie gjithnjë e më dixhitale dhe të zhvilluar.
Java Globale e Parasë është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë që të zhvillojnë njohuritë e tyre financiare dhe të bëhen menaxherë të mirë të financave të tyre. EasyPay ka treguar një angazhim të vazhdueshëm në edukimin financiar dhe në promovimin e teknologjive financiare që mundësojnë një menaxhim më efikas të financave personale. Duke vazhduar me këtë traditë, EasyPay po ndihmon brezin e ri të përballojë sfidat financiare të së ardhmes me njohuri dhe siguri më të madhe.