Blogu Color Our Lives ka për qëllim të frymëzojë vajzat e sotme për t’u bërë lideret e nesërme. Synimi kryesor? Fuqizimi i grave dhe vajzave përmes shkëmbimit të përvojës, intervistave, tregimeve dhe diskutimeve. Krijimi i një komuniteti që i ndihmon femrat të shohin pikat e tyre të forta, të zhvillojnë vetë-besim, të bëhen udhëheqëse të fatit të tyre.
Duke qenë në kërkim të vazhdueshëm të vajzave dhe grave që mund të japin mbështetje jo vetëm nëpërmjet këshillave, ndarjes së eksperiencave personale e profesionale, por edhe në kërkim të grave sipërmarrëse që mund të japin ndihmën e tyre të çmuar e konkrete.
Më poshtë ju ftojmë të lexoni një nga shkrimet e blogut Color Our Lives: “Ngjyrat e Linda Shomo-s”
“Pika kryesore është ai moment magjik kur një ide, prirje ose sjellje shoqërore kapërcen një prag, këshilla dhe përhapet si zjarri i egër ” thotë Malcolm Gladwell në librin e tij të famshëm “The Tipping Point”.
Zonja e këtij artikulli e di shumë mirë se çfarë ndryshimi themelor do të sjelli ideja e saj, jo vetëm për të por për mbarë Shqipërinë.
Kjo është historia e një sipërmarrëse që më ka frymëzuar në mënyrë të veçantë pasi isha kthyer në Shqipëri dhe kisha zbuar një metodë alternative për të paguar fatura dhe shërbime të ndryshme online, shumë e dobishme për shoqërinë tonë ku mbajtja e radhës duket një mit. Kur zbulova që pas kësaj ideje dhe kompanie qëndronte një grua, ëndërroja që një ditë të kisha mundësinë ta takoja në ndonjë event në Tiranë dhe të shkëmbeja dy fjalë. Kurrë nuk e kisha imagjinuar se një ditë do mund ta intervistoja dhe të ishte një ndër historitë e suksesit në blogun tim.
Linda Shomo, lindur dhe rritur ne Shkodër, mbaron me medalje të artë gjimnazin “Jordan Misja” në Shkodër dhe zgjedh të studioj informatikë (shkenca kompjuterike) në Fakultetin e shkencave të natyrës në Tiranë. Pas mbarimit të universitetit fillon punë fillimisht në Institutin e informatikës, më pas në fondacionin Soros dhe nga viti 2000 është fokusuar vetëm ne sektorin financiar. Në kuadër të këtij fokusi në 2006 mbaron dhe një master MBA në universitetin e NY, Tiranë.
Duket sikur këto vite janë duke e përgatitur për një të ardhme rrëzëlluese. Ndoshta eksperienca në sektorin bankar e bën më të vetëdijshme për hendekun që sistemi bankar tradicional paraqet dhe Lindës i lind një ide për të përmbushur pikërisht këto mangësi. Njohuritë mbi aspektin financiar dhe teknologjik “se çfarë të bëj” gërshetohen më së miri me aftësitë e saja “se si ta bëjë” dhe përfundon me vullnetin dhe dëshirën “dua ta bëj”- sjellin në dritë EasyPay.
Kemi dëgjuar kaq shumë e gjatë historitë frymëzuese te Steve Jobs, Jeff Bezos, Elon Musk, Richard Branson,Bill Gates etj saqë duket sikur bota e financës dhe e teknologjisë u përket burrave. Por ja që një grua si Linda në 2006 merr përsipër një detyrë të veçantë, të hapë rrugën kështu edhe për vajzat dhe gratë e tjera që një ditë mund të drejtojnë me sukses në botën e egër të financës dhe teknologjisë.
“Ideja lindi mbas 8-9 vitesh punë në departamentin e teknologjisë dhe informacionit në disa banka dhe institucione financiare. Në atë kohë, në të gjitha vendet e Evropës kishte lindur dhe po zhvillohej me hapa të shpejtë M-commerce dhe pagesat me celulare ndërkohë që në Shqipëri akoma nuk kishte nisur E-commerce (pra pagesat online), pa diskutuar pastaj për pagesa me celularë. Meqenëse arrita të kuptoj nevojën që kishte tregu shqiptar për këtë mjet pagesash dhe meqenëse kisha njohuri si funksiononin pagesat në vendet e tjera, vendosa ta provoj të ndërtoja një startup që ofronte pagesa me celularë, I cili rezultoi i suksesshëm”
Flasim për vitet që kanë shënuar një gjurmë të veçantë në historinë e teknologjisë. Mark Zuckerberg në 2006 arrin që të transformoj platformën e tij Facebook në një platformë internacionale në gjithë botën ku kushdo që konfirmonte se ishte mbi 13 vjeç mund të krijonte një profil dhe arriti 2 miliard user në 2019 (historinë tashmë e dini të kompanisë multimilionerë Facebook Inc). Po ashtu në janar të 2006 hidhet në treg iPhone i parë nga kompania Apple.
Ndërkohë Linda, kilometra larg silicon Valley, është duke hedhur hapat e parë në krijimin e një platforme pagesash dhe transfertash nga celulari dhe online. E para në llojin e sajë në Shqipëri duke sjellë jo vetëm risi por edhe kualitet. Fillimisht duke bashkëpunuar me kompanitë e mëdha si Digitalb apo kompani të tjera private dhe shtetërore, duke u shtrirë më vonë edhe tek konsumatorët final. EasyPay është fintech I parë në Shqipëri dhe lider në shërbimet dixhitale duke ndërtuar një rrjet agjentësh prej 430 bashkëpunëtorësh si dhe 36 punonjës.
Rrugëtimi i Lindës me EasyPay dhe teknologjisë në mbarë botën duken sikur kanë ecur së bashku dorë prej dore duke u rritur dhe përmirësuar çdo ditë, çdo vit. Aty ku më përpara nuk flitej as për e-commerce, arritëm ku shumë veprime financiare dhe pagesa të bëhen më së shumti në mënyrë dixhitale. Në Kinë tashmë ka kohë që njerëzit nuk mbajnë portofol pasi çdo blerje e vogël realizohet nëpërmjet telefonit në mënyrë imediate. EasyPay gjithashtu ofron shërbime të shumta që shkojnë nga pagesat e faturave të ndryshme, pagesa për kopshtet/çerdhet, pagesë të gjobave, rimbushje elektronike, taksat e bashkisë, çdo lloj blerje online apo transferime nga jashtë shtetit.
Linda ka pohuar në evente të ndryshme ku ka qenë e ftuar se nga një studim tregu kishte zbuluar se 60% e popullsisë Shqiptare nuk kishte një llogari bankare. Ndërkohë, çdo gjë po vjen duke u dixhitalizuar dhe ndoshta shumë shpejt edhe ne do i bashkohemi perëndimit ku pagesat po bëhen gjithmonë e më shumë me Apple Pay, Google Pay, Alipay apo wallet elektronik të ndryshëm.
Çelësi i suksesit në këtë rast duket që është adaptimi i shërbimeve duke iu përshtatur ndryshimeve të shpejta qe po jetojmë në këtë epokë, duke i shtuar vlerën kompanisë e duke lehtësuar jetën e klientëve. Por ajo që e bën të suksesshme një kompani të kësaj kategorie është pikërisht themeluesja dhe drejtuesja e saj. Janë ato veçantitë që Linda zbulon tek vetja dhe e kanë ndihmuar në këtë rrugëtim aspak “easy”. Këmbëngulja, marrëdhënia me njerëzit dhe dëshira e përhershme për te mësuar gjëra të reja, kanë qenë ndoshta pikat kyçe të karakterit të saj që edhe në ditët më të vështira ku çdo gjë duket se nuk shkonte në rrugën e duhur, e kanë ndihmuar të kaloj çdo vështirësi dhe të triumfojë. Po ashtu edhe pasioni dhe dashuria për atë që bënë.
“Sikurse fëmijët ne jetën tonë personale, po ashtu dhe në biznes, sidomos për ata që e kanë biznesin e vet, puna është si fëmija, që sado vështirësi qe ka rritja, mjafton një buzëqeshje dhe harron çdo lodhje. Në biznes, çdo vështirësi që duhet ta përballosh, është pasioni dhe dashuria mbi atë qe po bën dhe sa shumë kohë I ke kushtuar asaj gjëje (që nuk do doje ta çoje dëm), ajo që të bën të hedhesh hapin e radhës e të ecësh përpara edhe sikur të duket që nuk do ngrihesh më”.
“Aty ku ka oportunitete ka dhe plot sfida, sidomos kur po implementon diçka për herë të parë në treg, atëherë risku është akoma më I lartë. Të qënurit femër në drejtimin e një biznesi, aq më tepër në një biznes FinTech (kompani teknologjike që hedhin në treg produkte të reja financiare), përveç emrit Easy (Pay) nuk ka pasur asgjë tjetër të lehtë.”
Përpos kësaj, të jesh një grua në biznes ka në përgjithësi vështirësitë e veta (duke pasur edhe detyrime familjare) dhe rruga është e mbushur plot me sakrifica të ndryshme. Ndaj edhe Linda si çdo grua I është dashur të bëj zgjedhjet e saj që jo gjithmonë kanë qenë të lehta. I është dashur të sakrifikoj kohën e çmuar me fëmijët e saj që tashmë të dy, si qytetarë globalë, janë transferuar me studime në Austri dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Work-life balance do ishte këshilla kryesore që do I jepja vetes. Kam punuar vite të tëra me orare shumë të zgjatura duke harruar që jeta ka dhe aspekte të tjera që duhen gëzuar. Të gjesh kohë për veten, ajo që quhet “Me time” është shume e rëndësishme sepse të qetëson, të bën të reflektosh dhe të marrësh vendimet e duhura pa u nxituar.”
Jeta e ka surprizuar me ato “momente magjike” që shkruan edhe Malcolm Gladwell që kanë shënuar një kthesë dhe ndryshim 360 gradë- nga momenti i parë kur u bë nënë, tek hapja e kompanisë e deri tek “ndarja” nga fëmijët. E vlerësoj në këtë pikë sinqeritetin e saj dhe e falënderoj që nuk harron në asnjë çast se ajo është një miksim vlerash dhe nuk mund të futet vetëm në kornizën e “sipërmarrëses”. Linda është një grua, një nënë, një mike, një sipërmarrëse dhe investitore. Përfaqëson gjithë vlerat e gruas që unë adhuroj dhe dua të promovoj te çdo vajzë.
“Janë disa faza të jetës që e bëjnë njeriun të reflektojë dhe ta shohë jetën ndryshe.
Covid19 do mbetet gjithashtu një event historik që solli dhe do vazhdoje të sjellë shumë ndryshime në jetën tonë. Kjo periudhë sado e vështirë që na duket, ka bukurinë e vet se të bën të reflektosh dhe të kuptosh sa shumë gjëra të bukura kemi në jetën tonë normale, por që nga momenti që na mungojnë ja kuptojmë vlerën realisht”
Rutina e përditshme e njerëzve në sukses është një kuriozitet që dua të shuaj tek çdo njeri që intervistoj dhe ka lindur prej 2018 kur lexova “Tools of Titans” nga Tim Ferris. Ndaj për çdo grua që intervistoj, dashur pa dashur më transporton në një botë paralele ku shikoj bashkëbiseduesen time sikur të jem aty prezentë – “ Kam një oborr të bukur në shtëpi dhe më pëlqen të shijoj kafen e mëngjesit në oborr, më pas dal me qenin tim Lucky për pak shëtitje e me vonë bëhem gati për punë”.
Veçantia e kësaj rutine, ndryshe nga të tjerat, qëndron pikërisht në thjeshtësinë dhe bukurinë e gjërave të vogla të përditshme që shpesh i marrim për të mirëqenë.
Sa më shumë që dëgjoj prej saj, aq më shumë rritet admirimi im ndaj kësaj gruaje.
Së fundmi, Linda i bashkëngjitet grupit të sipërmarrësve në INNvest Fund duke u kthyer në një mentor shumë të rëndësishme për të rinjtë që duan të kthejnë ëndrrat dhe idetë e tyre në biznes e të kenë sukses.
“Bashkëpunimi me INNvest lindi falë drejtueses së këtij projekti, Fabiolës, që është shumë e apasionuar ndaj startups, novacioneve dhe investimeve në këtë fushë. Easypay po ashtu, duke qenë lider në fushën e Fintechs në Shqipëri, kemi ndjekur nga afër të njëjtat fusha dhe jemi bërë tashmë pjesë e të njëjtit komunitet. Na pëlqen ta shohim botën ndryshe dhe kjo na bashkon me Fabin dhe Innvest. Besoj shumë në misionin që ka ndërmarrë INNvest.”
E ardhmja ka gjithmonë në fokus për Lindën rritjen e portofolit të shërbimeve që mund të paguhen online me Easypay, sikurse dhe zgjerimi së shpejti në rajon, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni. Gjithashtu ne forcimin e pozicionit të EasyPay në treg për transferat e parave, në bashkëpunim me partnerin internacional, RIA Money Transfer. (bashkëpunim prej vitit 2016)
Së fundmi, nuk mund të mungonin edhe këshillat për vajzat dhe gratë:
“Kini besim tek vetja dhe investoni sa më shumë në njohuritë tuaja. Bota po ecën me hapa shumë të shpejtë dhe nëse nuk ndiqni ritmin, do mbeteni mbrapa dhe nuk do arrini të bëheni qytetare globale siç koha e kërkon. Më kujtohet shprehja “Competence means confidence” që do të thotë që sa më të zonja të jeni në atë se çfarë bëni, aq më të pavarura do jeni ekonomikisht dhe nga ana sociale në të ardhmen.”
Këtu gjeni linkun e shkrimit nga Color Our Lives: https://www.colorourlives.com/2020/04/09/ngjyrat-e-linda-shomo-s/