Të shtunën në datën 25 Nëntor 2017, në kryeqendrën e Landit të North Rhine-Ëestphalen të Republikës Federale të Gjermanisë në Këln, u mbajt konferenca me temë “Dita e Dialogut të Diasporës”. Mes të pranishmëve ishte Nënkryetari i Bashkisë së Këlnit Ralf Heinen, Sekretarja e Shtetit gjerman Serep Guler, Ministri i Zhvillimi Ekonomik i Kosovës Valdrin Lluka, kryebashkiakë nga Shqipëria, Ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës si dhe Konsullja e Nderit Anduena Stephan e shumë përfaqësues nga diaspora shqiptare. Sigurisht që në një event të këtyre përmasave nuk mund të mungonte as Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta.
Si i ftuari i Nderit dhe folësi kryesor, z. Meta e nisi fjalën e tij duke vënë në dukje se nuk mund të mungonte në këtë aktivitet për tri arsye: së pari, sepse ai zhvillohet në Gjermani, sot motori i zhvillimit të Evropës; së dyti, sepse ai zhvillohet në rajonin e Ëestphalias, Landit me popullsinë më të madhe në Gjermani dhe me një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi; dhe së treti, për shkak të prezencës domethënëse të diasporës shqiptare në këtë vend.
Presidenti theksoi se rritja e mundësive për një dialog më të dobishëm dhe rezultativ me diasporën, rrit gjithashtu potencialin që kjo e fundit të ketë një ndikim më të madh në zhvillimin, begatinë dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Gjithashtu z. Ilir Meta i dha rëndësi promovimit të identitetit, trashëgimisë dhe gjuhës shqipe nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta me shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, etj.
Një vëmendje e veçantë nga Presidenti iu kushtua dhe ofrimit të shërbimeve ndaj bashkëkombasve tanë dhe disa nga përmirësimet që janë bërë në këtë aspekt, përfshirë shërbimet e dixhitalizuara duke veçuar marrëveshjet dypalëshe për mbrojtjen e ndërsjellë shoqërore, si ajo e hyrë tashmë në fuqi me Gjermaninë.
Si sponsor të kësaj konference ishin dhe Institucioni i Parasë Elektronike EasyPay Albania dhe Kompania e Transfertave të Parasë Ria Money Transfer, shërbimet e dixhitalizara të të cilave kanë bërë të mundur krijimin e një dialogu të vazhdueshëm me diasporën duke u bërë kështu një urë e mirë komunikimi.